PK e përkushtuar për ngritjen e cilësisë së edukimit parashkollor
Partia Konservatore e Kosovës sot ka vizituar çerdhen e fëmijëve “ABC“ në Prizren, për të parë nga afër punën e cila bëhet me fëmijë dhe institucionet parashkollore duke premtuar kushte më të favorshme për këtë veprimtari.
Kandidati për kryetar Beni Kizolli theksoi se mungesa e çerdheve publike mbetet një ndër problemet më të mëdha, prandaj projektet në këtë drejtim do të kenë prioritet për kabinetin tim qeverisës.
“Nga statistikat për çerdhet dhe arsimin parashkollor del se qyteti i Prizrenit ka vetëm një çerdhe publike përderisa vendet e tjera më të vogla se qyteti ynë kanë nga tre, katër e më shumë. Në qytetin tonë funksionojnë edhe çerdhet private por megjithatë numri i tyre është i pamjaftueshëm përballë kërkesave të prindërve, dhe se çmimet e larta për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet private shpesh janë të papërballueshme”.
Më tutje Kizoli shtoi se “platforma politike e bazuar në rekomandimet për planin zhvillimor komunal ka paraparë që deri në muajin maj të vitit 2014 të vlerësohen hapësirat për çerdhet në kuadër të shkollave publike. Deri në gusht të vitit 2014 do të realizohet plani i detajuar ekonomiko – financiar për investime i cili pas diskutimeve do të përfshihet në planifikimet buxhetore të vitit 2015. Në këtë mënyrë në qeverinë tonë çerdhet private do të lirohen nga pagesat për veprimtarinë afariste”.
Lidhur me këtë temë foli edhe kandidatja për asamblenë komunale nga lista e PK-së Bedrije Baxhaku Berisha e cila tha se: “Nënat sot kanë dy probleme, së pari të sigurojnë një vend pune, dhe e dyta edhe nëse punësohen kanë problem se ku ta lënë fëmijën gjatë orarit të punës. Problem për të janë edhe pagat e ulëta të cilat shpesh nuk mundësojnë mbulimin e shpenzimeve për strehimin e fëmijëve nëpër çerdhe”.
Znj. Berisha më tutje shtoi se çerdhet private deri diku kanë lehtësuar punën e nënave por megjithatë projektet e çerdheve publike janë të domosdoshme për edukimin parashkollor të fëmijëve dhe se në këtë mënyrë do të rregullojmë edhe një problem shumë të rëndësishëm për familjet tona.